Qendra Alpe

RRETH ALPEVE

RRETH ALPEVE TE SHQIPERISE

Alpet jane vendi i kontrasteve, ku shfaqen dhe ndërthuren e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia, pamjet mahnitëse me infrastrukturën e dobët, mundësitë e shumta për zhvillim me një prapambetje relative, ashpërsia natyrore e terrenit me butësinë hyjnore të peisazhit, e kaluara e lavdishme dhe e sotmja e diskutueshme, me shumë anë të të njëtit realitet. Bazuar jo vetëm në sa më sipër mund të thuhet se alpet  jane zona më interesante e Shqipërisë. Kjo rrjedh edhe nga historia e tyre, nga traditat që mbartin, nga veçoritë klimaterike dhe pasuritë e mëdha që paraqesin, nga bijtë e bijat që ka nxjerrë si dhe nga doket e zakonet e karakteristika të tjera që janë ruajtur e përcillen deri në ditët tona.

Banorët e alpeve janë njerëz të pashëm, të buzëqeshur, bujarë, të shëndetshëm, të zgjuar, me zemër të pastër dhe me mendje të kthjellët, punëtorë të papërtueshëm dhe rezultativ, kanë shumë të shprehur ndjenjën e atdhedashurisë dhe të humorit, etj. Klima e alpeve është një nga më të mirat për shëndetin e njerëzve, nga më të përshtatshmet për zhvillimin e bimësisë të llojeve të ndryshme dhe të gjësë së gjallë, ofron kushte shumë të mira për të jetuar në harmoni me natyrën pak të ashpër por mjaft tërheqëse dhe bujare njëkohësisht, gjë që i jep fizionominë e vet karakteristike kësaj zone.

Fshatrat e alpeve janë të shpërndara thuajse në të gjithë zonën: ato janë vendosur në maja kodrash apo në lëndina, në zona me reliev të veshur me shumë lloje bimësh barishtore, shkurre apo drurë pyjorë, që shpërndajnë aromë shumë të këndëshme dhe bukuri shumë të veçanta që krijojnë panorama të mahnitëshme natyrore. Kësaj bukurie i shtohet edhe puna e gjallë e njerëzve që me mundin dhe djersën e tyre kanë endur shtëpitë dhe rrethinat e tyre duke i zbukuruar me pemë të ndryshme frutore të cilat u japin më shumë gjallëri kopshtieve të zonës.

Alpet jane të pasura me shumë elemente natyrore sidomos ujorë: me lumenj, përrenj e përrocka që bartin ujë të kristaltë, të mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha nevojat e banorëve dhe më gjërë. Po ashtu, ka kroje për çdo fshat, me ujë të pijshëm, të bollshëm, që paraqet parametra cilësore shumë të larta. Këtyre burimeve u shtohen edhe liqenet e bukur dhe piktoreskë akullnajorë. Por, nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe faktin se në këtë zonë edhe nëntoka është mjaft e pasur me minerale të ndryshme si: krom, bakër, polimetale, asbest, kuarc, fluorit, etj. Në këtë zonë gjendet një sipërfaqe e konsiderueshme, tokë e punueshme, pjesa më e madhe e së cilës është e shtrirë në shpatet e kodrinave dhe luginave.  

Popullësia e kësaj zone si rezultat i largimit masiv të dy dekadave të fundit, është ulur ndjeshëm. Numri mesatar i pjesëtarëve të familjes në këtë zonë është 3.6 vetë, që përbën një ndryshim të dukshëm nga mesatarja e viteve më parë kur familja kishte një numër mbi dhjetë pjesëtarë dhe që quhej familje patriarkale. Rreth 89% e familjeve që banojnë në Alpet e Shqipërisë merren thuajse vetëm me bujqësi e blegtori, aktivitet nga i cili ata përpiqen të sigurojnë të ardhurat për mbijetesën e tyre. Ndërkohë që si aktivitete të tjera mund të konsiderohen ndërtimi, punët në institucionet lokale, bimët mjekësore dhe tanifere, ndërkohë është filluar me turizmin familjar.

Reshjet në alpe janë të shpërndara kryesisht në ¾ e vitit dhe paraqiten pa shumë ndryshime në total nga një vit në tjetrin. Pyjet dhe kullotat e Alpeve përbëjnë elemente me vlera të veçanta të cilat karahas shfrytëzimit të tyre, duhet bërë kujdes për ruajtjen dhe pasurimin, pasi së bashku shtojnë bukurinë dhe pasurinë e kësaj zone. Aftësia kullosore dhe larmia e bimësisë dhe e shumë kafshëve të egra që rriten në pyjet e alpeve, bëjnë të mundur që të krijohet fizionomia dhe veçoritë e kësaj zone.

Këto elemente që përmendëm më lartë përbëjnë parametra mjaft të pëlqyeshëm për një vend mjaft interesante jo vetëm për të ndërtuar jetesën, por edhe për të zhvilluar turizmin, alpinizmin, speleologjinë, por është edhe për sporte ujore, për gjueti, për shëtitje apo piknik, për organizimin e takimeve të ndryshme rajonale, e shumë mundësi të tjera. Fjala e thënë kohë më parë: “Malet janë vendi ku jetojnë të pasurit”, nuk ka arritur të gjejë akoma zbatimin e vet në Alpet e Shqiperisë. Dhe kjo ka patur shkaqet e veta, të cilat janë të shumta dhe të shumëllojshme. Pa dashur të ndalemi gjatë në këtë pikë, mund të thuhet se: mungesa e kujdesit të duhur nga organet e pushtetit, largimi masiv i banorëve, kushtet jo të favorshme të infrastrukturës rrugore, por edhe një kujdes shëndetësor dhe rënie drastike e nivelit të shkollimit, kushtet e vështira të komunikimit, etj, përbëjnë disa nga shkaqet më kryesore që kanë sjellë gjendjen të paraqitet sot në këtë zonë.

Këtu shihen ngjyrat e ylberit, e kaltërta e qiellit, e bardha e borës së përherëshme, e grijta e gurëve, e gjelbërta e pyllit dhe e livadheve, e lulmja e luleve etj. Dëgjohen cicërimat e zogjve dhe fëshfërima e gjetheve, si dhe gurgullimat e lumit dhe ujvarave. Në majat e maleve qëndrojnë retë madhështore me forma nga më të çuditshmet e që të kujtojnë personazhet e miteve dhe legjendave – zana e dragonj – që janë aq të shumta në legjendat e gojdhanat e banorëve vendas.

Në alpe bizotërojnë llojet e bimësisë karakteristike të mesit të Europës dhe veriballkanike, dhe për shkak se është një zonë e ashpër malore dhe e izoluar, janë krijuar kushte të përshtatëshme që të egzistojnë dhe të zhvillohen shumë bimë endemike. Janë pikërisht këto bimë endemike dhe kryesisht shpellat e shumta që ia shtojnë edhe më shumë vlerat zonës duke shfaqur interes jo vetëm për banorët apo vizitorët, por në mënyrë të veçantë për shkenctarët dhe studiuesit e fushave të ndryshme.

Në librin e tij, “Shqipëria – përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit të madh italian At Domeniko PAZI (1847-1914), Fulvio KORDINJANO, ndër të tjera thotë: “… që dallohen për këtë karakter, mes malesh dhe kodrash dhe që krijojnë larminë e bukur të një vargu të pafund bregoresh jo pa qafa të vështira, të ndërprera nga një numër luginash drejt rafshinës së pafund. Lart, në drejtimin veri-lindje, kurprëzohet nga disa maja që në lartësinë e tyre prej mbi 1800 metrash shohin poshtë në luginën e thellë dhe piktoreske të Drinit dhe madhështinë e Alpeve. Kjo larmi e këndshme e peisazhit përkon me karakterin e çiltër dhe të njerëzishëm të banorëve. Pra, vendi shpjegon pjesërisht natyrën e atij që banon aty…”

Alpet Shqiptare – Aty ku toka puthet me qiellin!