Mjedisi malor tipik, klima e mirë, peisazhi i pakrahasueshem, flora e fauna nga më të larmishmet dhe me lloje speciesh endemike. Vetë banorët të cilët besohet se përfaqësojnë burrin dhe gruan me gjatësi trupore më të gjatë në gjithë rajonin, etj, u japin Alpeve shqiptare vlera të veçanta. Gropat karstike dhe shpellat e borës, rrëzë majave të larta shkëmbore, vendburimet me ujë të kristaltë, kanë krijuar liqene që i përngjajnë syrit me ngjyrë të kaltër, qarkuar me qerpikë të gjelbër. Kërkimet shkencore në shpella miliona vjeçare, gropat e borës së përjetshme, vendbanimet e hershme etj, me shumë interes për tu njohur me fosilet dhe materiale të ruajtura të organizmave që kanë jetuar këtu e milionë vite më parë. Alpinistët, speleologët, arkeologët, biologët, etnografët etj, gjejnë mundësi për të zhvilluar aktivitete me rëndësi për shkencën, kulturën e sportin.
Mbizotërojnë llojet e bimësisë karakteristike të mesit të Europës dhe veriballkanike, dhe për shkak se është një zonë e ashpër malore dhe e izoluar, janë krijuar kushte të përshtatëshme që të egzistojnë dhe të zhvillohen shumë bimë endemike. Janë pikërisht këto bimë që ia shtojnë edhe më shumë vlerat Alpeve, duke shfaqur interes jo vetëm për banorët apo vizitorët, por në mënyrë të veçantë për shkenctarët dhe studiuesit e fushave të ndryshme.
Mjedisi ne Alpet Shqiptare ka vlera të mëdha ekologjike, që lidhen me diversitetin e lartë të ekosistemeve dhe të habitateve: ekosisteme malore, lumore, pyjore, livadhore, i kullotave alpine, karstike sipërfaqësore dhe nëntokësore, etj. Në këto ekosisteme zhvillohet një botë e pasur e gjallë dhe tepër e larmishme. Janë të shumta gjallesat shtazore dhe bimore endemike, në rrezik zhdukje janë bimët endemike si: Vulfenja Baldaçit apo Viola Dukagjinica apo kafshë të rrezikuara si: rreqebulli, etj.
Cirçet e shumta akullnajore që modelojnë pamjen e Alpeve Shqiptare, ku disa pjesë të saj kanë shërbyer si piknisje e një rrjeti të dendur përrenjsh, ku nga bashkimi i tyre janë formuar lumenj mjaft të përshtashëm për shfrytëzim të tyre për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe sot të disa mini/hidrocentraleve. Mbulesa bimore e pllajave të zonës, përfaqësohet si nga pyjet ashtu edhe nga kullota alpine shumë të pasura.
Mjegulla majë maleve të duket sikur të flet përmes lëvizjeve të saj në dukje të çrregullta. Nga një vështrim fare i shpejtë kupton se parajsa natyrore dhe varfëria ekstreme e banorëve janë ulur këmbëkryq në malet e Alpeve
Kushtet gjeomorfologjike e klimatike, kanë shfaqur gjithnjë dukuri me përmasa tej imagjinatës njerëzore, por të qenësishme e të imponueshme për t’u besuar, si mitet, legjendat, gojëdhënat, baladat, zanat, dragojt, kulshedrat, etj. Kështu besohej, që kur lind fëmija, për ecurinë e jetës së tij përgjigjet një Orë, vendodhja e së cilës, pa dyshim, ishte në bjeshkët e larta. Po kështu secili në ballafaqim me vështërsitë e jetës mbrohej nga një Zanë. Këto të fundit i ruanin dragojt (bijtë e këtyre anëve). Të gjitha këto kanë bërë të mundur që për çatinë e Alpeve të besohej se atje rrinë forca të mbinatyrshme dhe, po të guxohej e të shkohej atje pa u ftuar dhe mund të shitoheshe. Për këtë, malësorët vendas thoshin ato janë të nemuna dhe uronin gjithësecilin që “përpjetë u ngjitsh, por në majë kurrë mos arrish”.
Morfometria e relievit dhe veçoritë morfogjenetike të zonës përbëjnë elemente të rëndësishëm për tu studiuar. Tipari më dallues i zonës së Alpeve Shqipatare është karakteri theksuar malor që shfaqet thuajse në të gjithë territorin e vet me një amplitudë hipsometrike prej 2694 m. Kjo tregon për diferencën e madhe ndërmjet maleve dhe luginave, në evolucionin e tyre, gjë që ka kushtëzuar katëzimin e theksuar vertikal të veçorive klimaterike që shfaqen në zonë. Një anë pozitive e situatës mjedisore është së Alpet nuk ka probleme të ndotjes së mjedisit (ajrit, ujit, tokës, etj) dhe gjithashtu nuk ka pika të nxehta mjedisore, por duke qenë një zonë e theksuar malore ka disa probleme si erozioni, orteqet, prerja e pyjeve, zënja e shtigjeve etj.